Asnjë kolicë asfalt| Liburn Aliu dështon totalisht, miliona euro i mbeten “në kuletë”

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është institucioni që ka më së shumti buxhet në Kosovë. Mirëpo, milionat e ndara për projektet e ndërtimit dhe rehabilitimit të rrugëve, nuk po shpenzohen. Liburn Aliu ka dështuar totalisht si ministër, duke mos e shtruar asnjë copë asfalt deri më tash.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që drejtohet nga Liburn Aliu, muaj më parë është shpallur edhe zyrtarisht institucioni më i dobët në Qeverinë Kurti.

Kjo ministri kishte paraparë të realizojë 401 aktivitete, por i ka realizuar vetëm 103, që i bie se ka kryer vetëm 22 për qind të planifikimeve.

“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për periudhën janar-qershor ka paraparë të realizojë 461 aktivitete, prej të cilave ka realizuar 103 nga to. Përqindja është shumë e vogël, 22,3 për qind”, thuhet në raport e publikuar nga Lëvizja Fol, shkruan Demokracia.com.

E nga Raporti Gjashtëmujor Financiar i Ministrisë së Financave, shihet se disa nga ministritë nuk kanë realizuar shumicën e projekteve të parapara të investimeve kapitale.

Në shumë ministri, përqindja e realizimit të projekteve është zero e në disa progresi është vetëm me një përqindje të vogël.

Ministria e Infrastrukturës për këtë periudhë kohore ka realizuar vetëm 15 për qind të projekteve kapitale.

Sipas parashikimeve buxhetore, kjo ministri për investime kapitale ka pasur në dispozicion 209 milionë euro, por që nuk janë shpenzuar fare.

“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nga buxheti për investime kapitale, në vlerën prej 209 milionë euro i ka shpenzuar vetëm 21,611,218 euro ose vetëm 15%”, thuhet në këtë raport, përcjell Demokracia.com.

Dështimet e Liburn Aliut janë shpërfaqur edhe në një raport të Auditorit të Përgjithshëm për vitin e kaluar.

Në këtë raport tregohet se për projektet e ndërtimit dhe rehabilitimit të rrugëve dhe hekurudhave kanë qenë të parapara mbi 65 milionë euro, por janë shpenzuar vetëm 6 milionë euro.

“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – buxheti final për projektet e ndërtimit dhe rehabilitimit të rrugëve, projektet e kadastrës dhe rehabilitimit të hekurudhave ishte 65,630,000€, përderisa realizimi ishte 6,392,234€ apo 10%”, thuhet në këtë raport.

Po ashtu, aktualisht pothuajse nuk po punohet në asnjë rrugë të Kosovës.

Autostrada e Gjilanit ka mbetur ashtu siç ka qenë në vitin e kaluar, zgjerimi i rrugës Dollc-Gjakovë apo zgjerimi i rrugës Prishtinë-Mitrovicë, po ashtu, njëjtë.

Edhe në e-prokurim, ku shpallen të gjithë tenderët e institucioneve të Kosovës, ku bënë pjesë edhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, shihet se nuk ka shpallje për asfaltim ose rregullim të rrugëve.

Deri më tash, tenderët për rrugë që janë dhënë janë vetëm ata që kanë të bëjnë me mirëmbajtën verore dhe dimërore të rrugëve.

Qeveria e Kosovës është kritikuar vazhdimit për mosrealizimin e projekteve të investimeve kapitale, ku sipas opozitës dhe njohësve të ekonomisë, realizimi i tyre është pothuajse zero për qind.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me anë të një konference për medie të mbajtur ditë më parë, ka theksuar se disa nga ministritë e Qeverisë Kurti, në pjesën e parë të vitit aktual nuk kanë realizuar asnjë investim kapital.

LDK ka thënë se në bazë të Raportit Financiar të Thesarit të Kosovës, investimet kapitale në periudhën gjashtëmujore janë vetëm 9 për qind, ku sipas tyre është më e ulëta në dhjetë vitet e fundit.

“Ky raport shpërfaq me fakte dhe numra paaftësinë qeverisëse të pushtetit. Ndërkaq, mosefikasiteti i Qeverisë në realizimin e projekteve kapitale po përkthehet me rënie ekonomike, mbyllje biznesesh, humbje të vendeve të punës, rritje të varfërisë dhe dëmtim zinxhiror në të gjitha fushat e kapluara nga kriza”, kishte deklaruar LDK-ja, përcjell Demokracia.com.

Ndërsa, Agron Demi, analist i politikave në Institutin për Studime të Avancuara GAP, ka thënë se realizimi i investimeve kapitale në gjashtëmujorin e parë të 2022 është në nivelin më të ulët të mundshëm.

“Realizimi i investimeve kapitale në gjashtëmujorin e parë të 2022 është në nivelin më të ulët të mundshëm, madje shkallë kaq e ulet e investimeve nuk është shënuar as në vitin 2020 kur për shumë ditë kemi qenë të mbyllur. Fajtor kryesor për këtë është rritja e çmimeve në materialet ndërtimore, por për këtë faj të madh ka edhe Qeveria, e cila nuk e ka trajtuar këtë sfidë fare”, ka shkruar Demi.

Kryeministri Alin Kurti pothuajse në çdo paraqitje i përmend qeverisjet e kaluara, që sipas tij dhe partisë së tij, e kanë “shkatërruar” Kosovën për 20 vjet.

Qeveritë e kaluara përveç rrugëve lokale, kanë ndërtuar edhe autostrada që lidhin Kosovën me vendet e rajonit dhe të Evropës, duke e bërë vendin tonë me infrastrukturën rrugore më të mirë në Ballkanin Perëndimor.

Përqindja më e madhe e buxhetit të Kosovës zakonisht është ndarë për ndërtimin e autostradave.

Që nga paslufta e deri në vitin 2020, janë bërë investime kapitale në ndërtimin e rrugëve në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vend janë 137 kilometra autostradë.

Autostrada që lidh Kosovën më Shqipërinë, e quajtur “Ibrahim Rugova”, ka kushtuar mbi 700 milionë euro. Ndërkaq, autostrada Prishtinë –Shkup, e quajtur “Arbën Xhaferi”, me gjatësi prej 55 kilometrash, i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 600 milionë euro.

Përveç autostradave, investime të mëdha janë përqendruar edhe në ndërtimin e rrugëve lokale e magjistrale.

Në gjithë territorin e Kosovës janë rreth 2045 kilometra rrugë, prej të cilave 95 për qind janë të asfaltuara. Vetëm nga viti 2008 kur Kosova ka shpallur pavarësinë, sipas të dhënave zyrtare, janë shtruar rreth 500 kilometra rrugë. Nga këto 500 kilometra, rrugë nacionale dhe rajonale të asfaltuara që nga viti 2008 deri më 2017 janë 287.2 kilometra.