Asnjë kandidat për kryetar të komunave nga Lista Guxo, a po prishet bashkëpunimi me VV-në?

Bashkëpunimi ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo nuk është në ditët më të mira.

Deputeti i këtij subjekti, Haxhi Avdyli kishte thënë dje për media se Lista Guxo në koalicion me Vetëvendosje do t’i ketë 4 deri 5 kandidatë për kryetar të komunave në zgjedhjet lokale, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Ai kishte përmendur Istogun, Obiliqin, Dragashin dhe Malishevën, si mundësi ku ish lista e Vjosa Osmanit do të caktoj kandidatin për kryetar, por në të gjitha këto komuna, përveç Dragashit është vendosur për kandidatët e Vetëvendosjes.

Vetëvendosje ka kandiduar për kryetar të Istogut, Agron Avdijajn, në Obiliq Halil Thaçin që është edhe kryetar i VV-së në këtë komunë, në Malishevë është vendosur për Alban Krasniqin, ndërsa për Dragash ende nuk ka vendim.

“Akoma nuk e kemi përfunduar gjithë këtë proces, shumë shpejtë do të dalin emrat, do të kemi disa komuna, këto komuna nuk do të jenë ato komuna më të mëdha, por disa më të vogla…Istogu është njëra prej komunave të cilën do të jetë, pastaj mund të jetë Dragashi, Obiliqi dhe disa komuna të tjera, ku ne kemi mundësitë. Por janë edhe një numër e komunave që do të kemi një unitet në kandidaturën e përbashkët, LVV-GUXO. Aty do të jetë një personalitet që do të përkrahim dy palët. Por sidoqoftë janë diku, minimalisht 4-5 komuna që ka dakordim që Lista Guxo të ketë kandidat për kryetar…Në shumicën e komunave tjera ne do të kemi kandidatura për asamble, varësisht prej forcës tonë dhe interesimit”, kishte thënë Avdyli.

Nga zyra për informim e kësaj liste kanë thënë se sot do të dalin me një komunikatë për media për këtë çështje.

Përfaqesuesi i Listes Guxo ne Istog ka akuzuar Vetevendosjen per tradhti.

Ndryshe, një ditë më parë Vetëvendosje ka zyrtarizuar shumicën e kandidatëve për kryetar të komunave.

Partitë kanë kohë deri nesër në ora 16:00 për t’i dërguar në KQZ emrat për certifikim të kandidatëve për kryetar të komunave dhe asamble.