Serbia po vazhdon të ankohet për taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe që Kosova i vendosi vitin e kaluar.
Në çdo takim të mundshëm me ndërkombëtarët që kanë peshë, presidenti serb dhe krerët tjerë të shtetit ankohen për taksën dhe thonë se pa heqjen e saj s’ka vazhdim të dialogut.
Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj edhe sonte tha se taksa nuk hiqet deri në njohje dhe se kjo nuk do të ndodh as në Samitin e Berlinit që mbahet më 29 prill me ftesë të Merkelit dhe Macronit.
Ndërkaq, Ballkani.info sonte ka qëndruar në pikën kufitare me Serbinë në Merdare, ku shihet se asnjë kamion nga Serbia nuk hyn në Kosovë.
Mirëpo, ajo që është interesant, në këtë pikë kufitare janë parë rreth 10 kamionë me targa kosovare “KS” që kanë qenë duke u futuar në territorin serb.
Nuk dihet nëse kamionët bartin mallrave në territorin serb, apo shkonin të furnizoheshin me mall atje.
Disa nga kamionët kanë qenë të kompanisë së miellit nga Kosova M-Sillos. /Ballkani.info/












