Dogana e Kosovës është duke vazhduar ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% të produkteve të cilat vijnë nga Serbia dhe Bosnja Hercogovina.
Në një prononcim për Ballkani.info, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë se deri në këtë orë ende nuk ka hyrë asnjë kamion me mallra nga Serbia.
“Në raportin e paradites nuk është regjistruar asnjë hyrje e mallrave nga shteti i Serbisë për në Kosovë, tani jemi duke e pritur edhe raportin e dytë por mund të ua konfirmoj se nuk ka ndonjë kamion me mallra që është regjistruar deri më tani” ka thënë Stavileci për Ballkani.info.
Kujtojmë se ditën e mërkurë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për rritje të taksave ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nga 10% në 100%.
Kryeministri Haradinaj, dje ka thënë se kjo masë nuk do të hiqet deri kur Kosova të njihet si shtet nga Serbia e Bosnja. /Ballkani.info/







