Askund dhe me asnjë orar restorantet dhe kafenetë nuk lejohen të punojnë brenda

Restorantet, kafenetë, klubet e natës dhe ndërmarrje tjera të ngjashme që ofrojnë shërbime të gastronomisë kudo në Kosovë nga sot e kanë të ndaluar që të ofrojnë shërbime brenda.

Përveç që këto ndërmarrje do të mbyllen tërësisht nga ora 21:00 deri në orën 05:00, ato s’do të mund të punojnë në hapësira të mbyllura as jashtë këtij orari.

“Nga data 6 korrik 2020, të gjitha subjekteve që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë, klubet e natës dhe të ngjashme): Iu ndalohet funksionimi nga ora 21:00 deri në 05:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës; Jashtë këtij orari mund të punojnë vetëm në hapësira të hapura duke respektuar distancën prej 1.5 metrash hapësirë ndërmjet tavolinave, si dhe shërbimet take-away (merre me vete)“, thuhet në pikën 9 të vendimit të qeverisë.

Në përputhje me kërkesat e Inspektoratit Sanitar, të gjitha inspektoratet e tjera janë obliguar që t’i vënë në dispozicion kapacitetet e tyre për ta mbikëqyrur zbatimin e këtyre masave.