Taksa 10%

Ashtu siç pritej: Serbia reagon ashpër pas sanksioneve që Kosova vendosi për mallrat serbe

Pasi që Qeveria e Kosovës vendosi të vë sansksione ndaj mallrave të Serbisë dhe të Bosnjës, duke vënë taksë prej 10 për qind, reagimi i Qeverisë së Serbisë ka qenë i menjëhershëm.

Ministri serb i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit, Rasim Lajiq thotë se, nëse ky lajm është i vërtetë, duhet absolutisht të reagojë Komisioni Evropian.

“Nëse ky lajm është i vërtetë, kjo praktikisht do të thotë se Marrëveshja e CEFTA-s më nuk funksionon, sepse përveç të gjitha barrierave jashtë doganore që deri më tash Kosova i ka vënë ndaj ekonomive tjera dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, ky hap drast do të thotë se institucionet e Kosovës kanë vendosur për protekcionizëm klasik dhe jo vetëm për barriera jashtëdoganore, por edhe barriera klasike të cilat pengojnë lëvizjen e lirë të mallrave”, ka thënë Lajiq, transmeton Ballkani.info.

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar masat e importit për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja.

Kjo pikë është vënë në rend të ditës me propozimin e ministrit të Tregtisë, Endrit Shala.

Me këtë rast, ministri Shala ka thënë se MTI ka bërë analizë të produkteve nga Serbia që dëmtojnë tregun kosovar.

Ai ka bërë të ditur se do të vendoset masa e 10 përqindëshit për të gjitha këto produkte me përjashtim të atyre që janë brende ndërkombëtare.

Shala ka thënë se do të ketë edhe masa tjera për produktet nga ky shtet.

Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se këto lloj sanksione ndaj Serbisë janë ndërmarrë për herë të parë që nga shpallja e Kosovës shtet, raporton Ballkani.info.

Sipas tij, çdo artikull nga Serbia që hyn në Kosovë do ta ketë një taksë shtesë prej 10 për qind.

“Nuk mund Serbia me fitu prej neve miliona euro dhe me u sill qysh sillet me neve. Çdo kund në botë, cilido shtet që sillet keq atij i vihen sanksione dhe për këtë kemi plot raste në botë”, ka thënë Haradinaj.

Ai e ka quajtur historik këtë vendim, duke shtuar se kthim prapa nuk ka. /Ballkani.info/