Catherine Ashton

Ashton kujton kohën e negociatave: Thaçi e Daçiq s’ishin takuar kurrë, për ta ishte alarmante kur u fotografuam

Ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri e cila ka ndërmjetësuar dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Catherine Ashton, në një forum të UNMIK që po mbahet në Thesaloniki të Greqisë të titulluar “Bashkë për një të Ardhme më të Mirë”, ka folur edhe për marrëveshjen që kishin nënshkruar Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq me ndërmjetësimin e saj.

Ajo ka prezantuar në këtë forum edhe faqet e Marrëveshjes së Brukselit duke thënë “ Unë e kam shkruar. Ata e nënshkruan. Unë i vodha këto kur u largova nga Brukseli”, ka thënë Ashton

Në disa citime të ndara në platformën “X” nga gazetarja kosovare Una Hajdari, Athon ka folur edhe për momentet e sikletshme gjatë takimeve me ish-kryeministrat Thaçi dhe Daçiq.

Ajo ka thënë se ka qenë alarmante për të dy në momentin kur kanë bërë një fotografi të përbashkët meqë s’ishin takuar kurrë më parë.
““Kur dy kryeministrat erdhën në dhomën time, ata ishin në të njëjtën moshë dhe jetonin vetëm kilometra larg njëri-tjetrit, por nuk ishin takuar kurrë… ishte shumë alarmante për ta kur bëmë një fotografi,” kujton ajo për lehtësimin e takimeve mes Thaçit dhe Daçiqit”, ka shkruar gazetarja Hajdari teksa ka cituar Ashtonin.

Tutje Ashton ka thënë se në momentin që fillon një proces të ndërtimit të besimit, s’ke pse e pëlqen personin me të cilin negocion, meqë vetë fakti që po negocioni nënkupton se ju ka shkaktuar dhimbje. Por thotë se duhet të vazhdohet përpjekja për të punuar me ta.

“Kur filloni këto procese të ndërtimit të besimit, nuk keni pse të pëlqeni personin me të cilin po negocioni. Shumë rrallë e bëni – vetë fakti që po negocioni me ta do të thotë se ju kanë shkaktuar pak dhimbje. Por ju ende duhet të përpiqeni të punoni me ta.”, ka thënë Ashton.