Ashpërsohet dënimi ndaj dy personave që u rrahën me policinë për maska në Ferizaj

Natën e 14 gushtit në një qendër tregtare në Ferizaj ndodhi një incident, ku dy zyrtarë policorë janë përballur me sulm fizik ndërsa ishin të angazhuar në planin operativ në kuadër të masave anti COVID-19.

Në pamjet që qarkulluan atë kohë shihej një reagim i ashpër i policisë, meqë hasën në dy qytetarë të cilët nuk kanë respektuar vendimet e institucioneve në luftën ndaj pandemisë.

Të dy sulmuesit u arrestuan natën e 14 gushtit ndërsa sot Gjykata e Apelit ua ka ashpërsuar dënimet.

“Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj i datës 29.09.2020, është ndryshuar, vetëm sa i përket vendimit mbi dënim. Të pandehurve (secilit veç e veç) u është ashpërsuar dënimi më burgim nga 7 muaj sa u është shqiptuar nga ana e gjykatës së shkallës së parë, në një vit”.

Gjykata Themelore në Ferizaj, i ka gjetur fajtor të pandehurit për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë, vepër kjo e dënueshme sipas nenit 402 paragrafi 4 lidhur me paragrafët 2 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Kolegji penal i Apelit, nder të tjera konstaton se me rastin e vlerësimit të rrethanave renduese, gjykata e shkallës së parë, është dashur të ketë në konsideratë edhe faktin se zyrtarët policorë, natën kritike ishin në detyra zyrtare, duke realizuar Planin Operativ për Zbatimin e Masave kundër Pandemisë Covid-19, kurse të pandehurit përveç që nuk ishin duke i zbatuar këto masa, ata edhe i kanë sulmuar të dëmtuarit në një vend publik. Andaj, nisur nga pesha e veprave penale, si dhe rrethanat tjera të rastit konkret, kolegji penal ka ardhur në përfundim se dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë ndaj të pandehurve janë dënime të buta”, thuhet në komunikatën Gjykatës së Apelit.