Ndryshe nga turqit, përfaqësuesi ashkali në Kuvendin e Kosovës, Resul Makreshi, paralajmëron ta votojë pa kushte Qeverinë e re, Kurti II.
Gjatë ditës kryetari i KDTP-së, Fitim Damka, tregoi kushtin e turqve për ta votuar qeverinë që pritet ta formojë fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit, Albin Kurti. Damka tha se kërkojnë një ministër në këmbim të votës për qeverinë e liderit të Vetëvendosjes.
Por, për dallim nga turqit, ashkalinjtë nuk kanë ende ndonjë kërkesë specifike për Kurtin në këmbim të votës për qeverinë e tij.
Resul Makreshi, kryetar i Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, e cila ka fituar një mandat të deputetit në Kuvendin e Kosovës, tha të enjten për Reporterin, se nuk do të kërkojnë ndonjë post ministror në Qeveri e re, e as nuk ka kushte për kreun e VV-së Albin Kurtin.
Ndonëse vetë nuk ka i arritur votat e mjaftueshme që të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës, mandatin për deputet të PAI në legjislaturën e ardhshme, më 14 shkurt, e ka fituar bashkëpartiaku i tij Bekim Arifi.
Por, nëse jo kushte, kryetari i PAI paralajmëron që partia e tij të ketë disa kërkesa për qeverinë e re, por thotë se ende nuk i kanë biseduar.
‘’Jo, nuk kërkojmë ministër për me ja dhanë votën Kurtit. Besoj se do të diskutohen kërkesat brenda partisë dhe do të dalim me kërkesat tona. Por momentalisht nuk kam ndonjë kërkesë specifike për Kurtin. Besoj se do ta votojmë Kurtin’’, tha Makreshi.
Makreshi tregoi se ende nuk janë takuar as me Kurtin për të diskutuar përfshirjen e tyre në Qeverinë e re.
Megjithatë, tregon se ashkalinjtë janë të gatshëm të futen edhe në koalicion paszgjedhor me VV-në e Albin Kurtit.
‘’Ende nuk jemi takuar me Kurtin. Besoj se shumë shpejtë do ta kemi një takim. Mendoj se ne do të jemi pjesë e koalicionit, por ende nuk kemi biseduar për këtë çështje me kryeministrin në ardhje’’, tha Makreshi.
‘‘Ne gjithmonë e kemi pasur një ministër në Qeveri dhe presim ta kemi përsëri një ministër. Nuk do të hyjmë në koalicion nëse nuk do ta kemi një ministër në Qeveri’’, tha Damka.
Kujtojmë që Kurti ka arritur t’i fitojë 58 mandatë në Kuvend dhe i duhen vetëm edhe tri vota të deputetëve për ta arritur shumicën e nevojshme për t’u zgjedhur kryeministër.






