Dy anëtarët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Bashkim Cimili dhe Gonxhe Çaushi, janë distancuar nga veprimet e sotme të asamblistëve të këtij Kuvendi të cilët kanë nënshkruar një rezolutë përmes të cilës synojnë ndërprerjen e komunikimit më institucionet e Republikës së Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një reagimi asamblisti i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Bashkim Cimili.

“Në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur sot me 27.11.2018 dua të informoj opinionin se unë Bashkim Cimili dhe Gonxhe Çaushi si anëtar të Kuvendit Komunal të Mitrovicës veriore distancohemi nga deklarata e nënshrkaur sot nga anëtarët e Listës Serbe për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.”, ka shkraur Cimili, transmeton Ballkani.info.

Ai gjithashtu është ankuar se në këtë seance u është mohuar e drejta e fjalës dhe nuk ka pasur përkthim në gjuhën shqipe.

‘Gjithashtu duha të theksoj se sot në seancën e jashtëzakonshme ka munguar përkthimi në gjuhën shqipe dhe na u është mohuar e drejta e fjalës”, përfundon reagimi.

Sot dorëheqje kanë dhënë katër kryetarët e komunave veriore, si përgjigje për veprimet e fundit të institucioneve të Republikës së Kosovës, pas vendosjes së taksës dhe ndërhyrjes në veri për arrestimin e personave të dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit.