Asamblistët e VV-së marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e kryesuesit të KK të Prishtinës

Lëvizja Vetëvendosje – Qendra e Prishtinës, ka njoftuar se asamblistët e tyre do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit Komunal në Prishtinë, ku pritet të zgjedhet Kryesuesi i këtij Kuvendi, shkruan Reporteri.net.

VV në njoftimin e bërë për media thekson se, nuk do të jetë bllokuese e proceseve, prandaj do të qëndrojnë në sallë gjatë procesit të votimit.

“Edhe pse subjekti më i madh dhe me të drejtën e propozimit të kandidatit për kryesues, LVV nuk do ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe ja kalon radhën subjekteve që bashkërisht i fituan zgjedhjet në Kryeqytet me 14 nëntor. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të jetë bllokuese e proceseve, por as nuk do të ju bëjë shërbime subjekteve tjera. E, megjithatë ne do të qëndrojmë në sallë gjatë procesit të votimit”, thuhet në njoftim.

SOT MBAHET SEANCA PËR ZGJEDHJEN E KRYESUESIT, KËTO JANË KËRKESAT E PDK-SË PËR PËRPARIM RAMËN

Më tej, VV thotë se mbetet përgjegjësi e kryetarit të zgjedhur dhe subjektit të tij që t’i arrijnë numrat e nevojshëm për ta përfunduar procesin e konstituimit, që sipas tyre është edhe ashtu i vonuar, të Kuvendit Komunal.

Ndryshe, sot asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës do të mblidhen për të zgjedhur kryesuesin, ndërsa nëse i njëjti nuk zgjidhet sot, Kuvendi Komunal i Prishtinës shkon në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.

Pavarësisht se ka numrin më të madh të asamblistëve Lëvizja Vetëvendosje ka hequr dorë nga pozita e kryesuesit të Kuvendit Komunal.

LDK në zgjedhjet për asamble komunale ka arritur që të sigurojë 14 vende, por kjo nuk është e mjaftueshme për të zgjedhur kryesuesin e Kuvendit Komuna. LDK-së i nevojiten edhe të paktën 12 vota nga subjektet tjera politike për të zgjedhur kryesuesin e Kuvendit.

Në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale, kryesuesi i Kuvendit duhet të zgjidhet më së largu 30 ditë pas betimit të anëtarëve të asamblesë.