Asambleisti i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Kushtrim Sopa, i cili njihet edhe si tifoz i flakët i Prishtinës, është përfshirë në debatin rreth lejimit ose jo që derbi gjilanas Drita-Gjilani të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ai thotë se Stadiumi i Qytetit “Fadil Vokrri” është ekskluzivisht i qytetarëve të Prishtinës, mirëpo të drejtën për ta shfrytëzuar atë në momente të caktuara e kanë edhe Përfaqësuesja e Kosovës dhe çdo klub sportiv i Kosovës si dhe klubet tjera anembanë trojeve Shqipëtare në rast nevoje.

“Këtë shfrytëzim duhet bërë në mënyrë njerëzore dhe sportive ashtu siç ne bëmë, kur u detyruam të luanim jashta shtëpisë tonë për 2-3 vjet në disa stadiume anembanë Kosovës, me ç’rast ne jemi shumë falenderues ndaj Kastriotit(ish-Obiliqit), Podujevës, Drenasit dhe Pejës”, shkruan ai.

Sipas tij, thjeshtë duhet sqaruar njerëzisht opinionin sportdashës Prishtinas, se stadiumi i qytetit në Gjilan, është në renovim e sipër, një derbi i qytetit si ai i qytetit të Gjilanit që është i përmasave të mëdha, duhet zhvilluar në një stadium që i plotëson kushtet, me ç’rast për momentin janë dy të tillë në Kosovë, “Fadil Vokrri” dhe “Adem Jashari”, shkruan Ballkani.info.

“Duke i marrë për bazë kushtet ekonomike dhe realitetin e ri të krijuar në Kosovë, distanca mes qytetit të Gjilanit dhe Prishtinës është më e afërt se ai i Mitrovicës, si dhe numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Anamoravës po jeton dhe vepron në Prishtinë ashtu siç po bënë pothuajse 70% e popullsisë së Kosovës, është normale që të kërkohet të zhvillohet ky takim në kryeqytet”, thekson tutje ai.

Andaj, sipas tij, të dy tifozëritë gjilanase e veçanërisht ata të FC Drita, thirrni mendjes dhe mos harroni që po vini në Kryeqytetin e Kosovës, në qytetin më të mirë në botë në Prishtinë, nuk po shkoni në Beograd as në Çaçak, as në Athinë, as në Moskë, as në Gjevgjeli.

“Vini njerëzisht e zhvilloni lojën tuaj dhe ktheheni njerëzisht pavarësisht rezultatit, atëhere është gjithçka në rregull dhe jeta vazhdon. Mirëpo pa provokime dhe stila te kaubojave, sepse Prishtina qysh jep mundësi dhe ngrohtësi të mikëpritjes njerëzore, din edhe ndryshe, me e rrotullu 360 shkallë disponimin e vet”, shkruan në fund ai. /Ballkani.info/