As në rançin që dikur ia sulmonin, Albin Kurti dhe Isa Mustafa nuk u morën vesh mbrëmë

Para pesë vitesh, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte shkuar me një mision tjetër në rançin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa në Prapashticë.

Ndonëse mbrëmë ai mbajti një takim të fshehtë me Mustafën, për të arritur një marrëveshje për koalicion, Kurti para dyerve të shtëpisë me dhjetëra aktivistë kishin protestuar para këtij rënçi.

Vetëvendosje kishte protestuar tek shtëpia e Mustafës në Prapashticë duke kërkuar që Mustafa mos t’i falë territor Serbisë me anë të nënshkrimit për marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe por t’ia falë “rançin” e tij.

“I ashtuquajturi akademik Mustafa nga Prapashtica i ka befasuar të gjithë me gjuhën e ndytë dhe të ulët. Ai nuk po flet si kryeministër, prandaj duhet të japë dorëheqje dhe nëse nuk jep dorëheqje, duhet të rrëzohet nga populli i Kosovës. Ai duhet të shkojë në ‘Zajednicë’ pasi në Kosovë nuk po i mbetet vend për të. Ai po na sjellë në një periudhë më të errët dhe më të zezë sesa në kohën e Rrahman Morinës”, kishte thënë Kurti.

Sipas Kurtit, “Zajednica” nuk mund të hiqet nga Kosova pa gjakderdhje dhe pa luftë.

“Me Zajednicën te dera, e ke luftën te dera”, kishte thënë Kurti për shtëpinë e Mustafës.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë bërë përpjekje gjatë gjithë natës se mbrëmshme për të arritur një marrëveshje për koalicionin.

Kryetari i VV-së, Albin Kurti me disa kolegë të tij ka qëndruar në shtëpinë e Isa Mustafës në Prapashticë ku kanë negociuar mundësitë për të dal nga ngërçi politik.

Burime brenda procesit kanë treguar se negociatat kanë qenë të vështira dhe nuk është arritur marrëveshje.