Nuk ësht ëvetëm nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, ajo e cila nuk mori pjesë në mbledhjen e Kryesisë, ku u vendos për kandidatin për kryeministër.
Është edhe nënkryetari tjetër dhe ndër njerëzit më me ndikim në këtë parti, Lutfi Haziri, ai i cili nuk mori pjesë në këtë mbledhje të rëndësishme, ku edhe u caktua kandidati për kryeministër nga kjo parti.
Lutfi Haziri nuk ishte në këtë mbledhje, ndonëse nuk dihen arsyet.
Redaksia ka provuar që të kontaktoj me Hazirin, por ai nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike.
Ndërsa, një zyrtar i lartë i LDK-së, në kushte anonimiteti i ka thënë Gazetës Blic, se ka probleme shëndetësore, gjegjësisht me alergji, dhe për këtë arsye nuk ka marrë pjesë në këtë takim.
Ndryshe, pos Avdullah Hotit, edhe Lutfi Haziri ishte kandidat i mundshëm për kryeministër.
Këtë e ka konfirmuar edhe vetë lideri i LDK-së, Isa Mustafa, pas mbledhjes së Kryesisë.
Mustafa para gazetarëve tha se anëtarët e Kryesisë i kishin kërkuar që ai të jetë kandidati për kryeministër, por për arsye shëndetësore ka refuzuar.
Mustafa ka përmendur se pos Hotit, kandidatë për kryeministër ka qenë edhe Lutfi Haziri, Kujtim Shala dhe emra të tjerë.
Ndërkaq, vetë Haziri dje ka theksuar për media se ai e mbështet kandidaturën e Isa Mustafës, ndërkaq për t’u nominuar për kryeministër, ai tha se i ka disa kushte.
Haziri ka deklaruar se në rast se në parti i kërkohet që të pranojë të jetë i mandatuari për kryeministër, ka disa kushte, megjithatë s’ka pranuar të tregojë detaje se për çfarë kushte e ka fjalën.
“Unë kam kushte nëse më propozojnë” ka deklaruar nënkryetari i LDK-së.
Ndërkohë, në vijim i gjeni edhe fotografitë e publikuara nga mbledhja e Kryesisë së LDK-së, ku mungon Lutfi Haziri:








