As Liburn Aliu e Hysen Durmishi s’kanë zgjidhje, Autostrada mbetet edhe për një kohë pa pushimore e pompa

Autostrada “Ibrahim Rugova” edhe për një kohë të gjatë do të mbetet pa pushimore e pompa. Njoftimet që tregojnë vendndodhjen e tyre do të mbesin “dekor”, pasi as pushteti i ri, që drejton Ministrinë e Infrastrukturës nuk ka një zgjidhje konkrete.

 Miliarda euro janë dhënë për ndërtimin e Autostradave në Kosovë.

Por, edhe pasi janë lëshuar për qarkullim, ato mbeten të pakompletuar me infrastrukturën përcjellëse.

Me standardet evropiane, në Autostradë duhet të ndërtohen edhe pushimoret ku parashihet të ketë pompa të derivateve, restauronte, parking, kënde të lojërave për fëmijë dhe hapësira të gjelbëruara.

Vendosja e këtyre pompave ishte nisur qysh në kohën kur ministër ishte Fehmi Mujota. Asokohe ishin formuar komisione dhe ishin nxjerrë rregullore, mirëpo të gjitha kanë mbetur vetëm premtime.

Paralajmërimet se këto pika do të ndërtohen janë vendosur tash e shumë vite në autostradë “Ibrahim Rugova” dhe asaj “Arbën Xhaferi”.

Mirëpo, shenjat që tregojnë vendet e planifikuara për ndërtimin e pushimoreve, janë të mbuluara tash edhe me shirit të zi.

Por,  këto pushimore e pompa ende nuk kanë filluar të ndërtohen pasi procedurat e kompletimit të dosjes janë stërzgjatur nga ana e institucioneve kompetente.

Një zgjidhje konkrete për këtë nuk po e kanë tash as drejtuesit e Ministrisë së Infrastrukturës, ministri Liburn Aliu e as zëvendësi i tij,  Hysen Durmishi.

Në Ministrinë e Infrastrukturës kanë folur për Gazetën Online Reporteri.net, lidhur me këtë çështje, mirëpo nuk kanë dhënë një afat se kur mund të nis apo përfundoj ky projekt.

“Ministria ka përgatitur studimet e nevojshme lidhur me këtë projekt i cili parashikohet që të realizohet përmes Partneritet Publiko –Privat (PPP). Me qëllim të fillimit të këtij procesi duhet që të merret Vendim nga ana e Komitetit për Partneritet Publiko –Privat (KPPP) dhe me pas të fillohert me realizimin e projektit”, thuhet në përgjigjen e MI-së.https://reporteri.net/reklamap/www/delivery/afr.php?zoneid=19&cb=INSERT_RANDOM_NUMBER_HERE

Mirëpo, e tërë kjo që thonë në këtë institucion është përsëritur tash e sa vite.

Në MI kanë ripërsëritur edhe kriteret dhe atë se çfarë përshihet të vendohet në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Sa i përket këtij projekti, synim është ndërtimi i vendeve për ofrimin e shërbimeve përgjatë Autostradave 6 dhe 7 (në total 12 Stacione të Shërbimit në 6 Lokacione të përcaktuara me projekt, nga një në secilën anë) në lokacionet e paracaktuara në seksionin  Morinë – Gjurgjicës , Besi , Marec dhe Doganaj”.

Sipas MI-së të gjitha lokacionet  në segmentet e Autostradave 6 dhe 7, janë të shpronësuara dhe janë pronë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, shkruan Reporteri.net.https://gjc.gjirafa.com/Home/IndexR?configId=5563-1&gjid=69491654&v=2.1&guid=4b2e33e1c5ac4ca590c8a21962b6f41cc71b5d942bb84656bc7443bd8a28bd5f

Kritika për vonesat në shpalljen e tenderit për ndërtimin e pushimoreve, në të cilat do të ndërtohen edhe pompa të derivateve, kanë shprehur disa herë Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës.

Në disa deklarime për media drejtues të kësaj Shoqate patën thënë se qeveritë  nuk kanë pasur interesim që ta shpallin tenderin për ndërtimin e pushimoreve dhe vendosjen e pompave të derivateve në Autostradën “Ibrahim Rugova”.

Në Kosovë që nga paslufta janë ndërtuar pompa të derivateve duke mos respektuar standardet evropiane.

Për tu respektuar  standardet e BE-së  në ndërtimin e pikave të karburantit është kriter edhe largësia prej pikës të karburantit në pikën tjetër. Në rrugë komunale, largësia 5 kilometra, në rrugë magjistrale largësia 10 kilometra dhe në autostradë largësia 20 kilometra.

Ndërtimi i Autostradës “Ibrahim Rugova” i ka kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 800 milionë euro, derisa në qarkullim është lëshuar në nëntor të vitit 2012. Kurse ndërtimi i Autostradës “Arbën Xhaferi” besohet  se i ka kushtuar buxhetit të shtetit mbi 700 milionë euro dhe është lëshuar për qarkullim më 29 maj të vitit 2019. /Reporperi.net/.