Eksperti i ekonomisë, Arton Muhaxheri, ka paralajmëruar se Republika e Kosovës po i afrohet rrezikshëm një krize të thellë ekonomike, e cila sipas tij mund të shndërrohet në kolaps të vërtetë shtetëror, për shkak të mungesës së institucioneve funksionale.

Muhaxheri thekson se pa një Qeveri të zgjedhur dhe pa një Kuvend që ushtron kompetencat e veta ligjvënëse, vendi mbetet pa mjetet e domosdoshme ligjore për miratimin e buxhetit dhe garantimin e pagave, pensioneve, subvencioneve dhe shërbimeve publike.

Sipas tij, situata veçse ka filluar të reflektojë pasoja konkrete në sektorin ekonomik: bizneset po paralizohen, investimet po tërhiqen dhe ekonomia po fundoset gradualisht. “Politika ka kohë për kalkulime. Qytetarët jo,” shprehet Muhaxheri, duke shtuar se pasojat i përjetojnë qytetarët e vendit çdo ditë që shteti mbetet pa institucione.

Ai kujton se partia e dalë e para nga zgjedhjet e fundit parlamentare ka detyrim kushtetues dhe politik për formimin e institucioneve dhe marrjen e përgjegjësisë qeverisëse. Nëse kjo nuk ndodh në afat të shkurtër, atëherë, sipas tij, duhet të caktohet një afat i qartë dhe i detyrueshëm për shpalljen e zgjedhjeve të reja.

“Çdo ditë pa institucione e afron vendin me grepin financiar. Nëse dikush po synon ta ndalë Kosovën së funksionuari si shtet, qytetarëve duhet t’u thuhet hapur se faturën do ta paguajnë ata,” thekson Muhaxheri. Ai nënvizon se institucionet nuk përfaqësojnë luks politik, por oksigjen ekonomik dhe garanci të domosdoshme për stabilitetin dhe të ardhmen e vendit.