Projekti

Artisti Besart Gashi me ide interesante, në varret e dëshmorëve vendos “përgjigje të shpejtë” për historinë e tyre

Kontribut dha shumë. Por, mbi varrin ku pushon dëshmori, Ismet Jashari, shkruhet pak.

Aty s’gjindet as nofka me të cilën Komandant Kumanova njihej gjatë luftës.

Por, çdokush që shkon tek varrezat e Kleçkës nga kjo e premte mund të gjejë krejt biografinë e tij. Kjo përmes kodit digjital që po vendos në secilin varr të dëshmorëve artisti, Besart Gashi.

“Brezat e rinjë nuk e dinë se kush qëndron në atë varr dhe çka ka bërë për vendin, vetëm e dinë se aty qëndron një dëshmor, për këtë arsye e pashë të arsyeshme dhe vendosa të bëjë këta ‘QR koda’ që përmbajnë biografinë e personit dhe fotografi”, ka thënë artisti Besart Gashi.

Në informacionet që mund të merren lehtësisht posa ofrohet telefoni pranë kodit, do të shtohen edhe të tjera fakte. Megjithkëtë, mbledhja e tyre s’ishte fort e lehtë për ideatorin.

“M’u ka deshtë anagazhim shumë i madh, me bisedu me familjarët, me pa çka dinë për ta, jetën shkollimin. Biografinë e kam shkru në vija të trasha jo shumë të gjerë”, tha Gashi.

Këtë projekt autori e bëri për 16-vjetorin e pavarësisë. Por, vazhdimin do ta ketë në një përvjetor e vend tjetër fort të rëndësishëm në historinë e vendit, në varrezat e Prekazit.

Për realizimin e këtij plani Gashi tha se nuk kishte përkrahjen financiare të institucioneve përveç atë të një kompanie private e cila edhe e financoi. Teksa përkrahje morale ai tha se kishte nga Shoqata e Dëshmorëve dhe nga Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale.

VIDEO BONUS: ‘NewBorn’ me pamje të re, në 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

https://www.youtube.com/watch?v=INPsYyD_6Zc