LAJMI I FUNDIT

Arrijnë në 20 mijë euro gjobat që Inspektorati i shqipton RTK-së pas vendimeve të drejtorit Ahmetxhekaj

Inspektorati i Punës e bën përgjegjës dhe e gjobitë në vlerë prej 2 mijë Radiotelevizionin e Kosovës për suspendimin e paligjshëm nga puna të kolegut Jeton Bajgora.

Inspektorati i Punës ka gjobitur RTK-në në vlerë prej 2000 euro për paligjshmërinë e radhës të drejtorit gjeneral të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Në vendimin me numër 01.25-104/2024, IP konstaton se drejtori Shkumbin Ahmetxhekaj në mënyrë të paligjshme kishte iniciuar procedurë disiplinore kundër të punësuarit në RTK, Jeton Bajgora për shkelje të supozuar:

“Punëdhënësi Radio Televizioni i Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së në inicimin e procedurës diciplinore për shkeljen e supozuar e jo nga udhëheqësi i drejtpërdrejt nga parashtruesi i ankesës  apo edhe ndonjë udhëheqës I tij, është përgjegjës për shkeljen e dispozitave të nenit 11, paragrafi 1 dhe 2, dhe nenit 12 paragrafi 1 I të rregullores Nr. 0736/18”, thuhet në vendim të cilin e ka publikuar Sindikata e RTK-së.

“Sindikata rithekson për të satën herë shqetësimin e saj se në RTK, drejtori gjeneral i saj Shkumbin Ahmetxhekaj dhe klani i tij ngushtë janë duke persekutuar dhe denigruar secilin të punësuar që nuk ju nënshtrohet dhe refuzon të përfshihet në veprime të paligjshme. Vetëm përgjatë vitit të kaluar, për veprime të paligjshme RTK është gjobitur nga Inspektorati në vlerën mbi 20 mijë euro.

Për rastin e kolegut Jeton Bajgora, Sindikata kishte alarmuar me kohë se është njëri prej proceseve më skandaloze, i montuar kundër një të punësuari i cili kishte fituar garën në konkursin për Udhëheqës të TV Produksionit, në dënimin e te cilit në mënyrë të drejtpërdrejt ishte përfshirë drejtori gjeneral i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj. SPRTK kërkon nga anëtarët e Menaxhmentit që të reagojnë lidhur me këtë rast dhe të distancohen nga ky veprim antiligjor e antinjerëzor i Shkumbin Ahmetxhekaj kundër kolegut Jeton Bajgora. Bordi i RTK-së sa më parë ta shkarkojë drejtorin gjeneral të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, për dëmet financiare që po ia shkakton buxhetit edhe ashtu të varfër të RTK-së, si dhe punëtorëve të persekutuar përfshirë të punësuarin Jeton Bajgora”, thekson Sindikata. /Ballkani.info/