Arrestohet një zyrtar policor me dyshimin për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare

Inspektorati Policor i Kosovës, përmes një komunikate adresuar mediave, ka njoftuar se është arrestuar një zyrtar policor, i cili dyshohet se keqtrajtoi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

IPK ishte njoftuar më 1 shkurt përmes një ankese ku pretendohej se një polic kishte tejkaluar autorizimet policore gjatë ushtrimit të detyrës.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë:

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve më 1 shkurt të këtij viti kishte pranuar një ankesë nga një qytetar i cili pretendonte për  tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në Lipjan.

Hetuesit e IPK-së pas pranimit të ankesës nga qytetari si dhe shkresat e rastit kanë ndërmarrë një mori veprimesh hetimore .

Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot një zyrtar policor (punonjës në Stacionin Policor të Lipjanit) që ishte i përfshirë në këtë incident.

Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.

Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.