Policia

Arrestohet një i dyshuar për grabitjen e bankës TEB vitin e kaluar, tre të tjerë në kërkim (VIDEO)

Policia e Kosovës, përkatësisht Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme është arrestuar një person për të cilin egziston dyshimi i arsyeshëm që mund të jetë i përfshirë në një rast të grabitjes.

Sipas njoftimit, Policia bën të ditur se bëhet fjalë për grabitjen e filialit të bankës TEB në rrugën ‘Robert Doll’ në Prishtinë, grabitje kjo që kishte ndodhur më datën 26 Nëntor të vitit të kaluar, përcjell Ballkani.info.

Video e grabitjes së bankës TEB, më 26 Nëntor 2019:

Policia ka bërë të ditur se ka identifikuar edhe tre persona të tjerë që dyshohet të jenë përfshirë në këtë grabitje dhe disa të tjera, andaj edhe ekipet policore të hetuesisë janë duke punuar intensivisht për kapjen e tyre.

Kujtojmë se makina e cila ishte përdorur në grabitjen e bankës TEB në Prishtinë, ishte gjetur në oborrin e njërit prej grabitësve i cili ishte pjesëmarrës në plaçkitjen e një banke në Istog, ku si pasojë e të shtënave mes policisë dhe grabitësve, kishte mbetur i vrarë një polic në detyrë dhe një grabitës.

Lajmin për lidhjen e ngjarjeve, e kishte konfirmuar disa ditë më vonë edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.

Ballkani.info ka raportuar vazhdimisht për vjedhjet e intensifikuara gjatë vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti. /Ballkani.info