Autoritetet kosovare kanë arritur të arrestojnë të shumëkërkuarin e drejtësisë shqiptare, Gëzim Çela, i njohur ndryshe edhe si “baroni” i Fushë Kuqes.

Çela, një ish-oficer i Forcave Speciale në Shqipëri, ka qenë prej kohësh i kërkuar nga autoritetet e Tiranës, ku vite më parë çështja e tij bëri edhe bujë, pasi OFL-ja i dërgoi një formular për deklarim pasurie, duke pandehur aktivitetin e tij të shtuar në botën e krimit, kryesisht atë të trafikimit të drogës.

Aktivitetin e tij, Çela e kishte shtrirë ndërkombëtarisht, kur mendohet se kishte krijuar edhe një grup të organizuar kriminal.

Emri i tij doli në skenë sërish, kur pas përfundimit të një operacioni shqiptar koduar “Flakë në det”, u bë e mundur kapja e shefit të komisariatit të Laçit, Dritan Meta, i cili sipas një deklarate zyrtare, kishte bashkëpunuar me Çelën, Arben Dalipajn dhe Roland Guxon, në trafikimin e narkotikëve.

Kësisoj, më 9 tetor, Policia e Shtetit lëshoi një urdhër arresti për Çelën, i cili është kapur tashmë nga Policia e Kosovës.