Arrestohet kosovari, dyshohet se me falsifikim të dokumenteve fitoi tendere në vlerë 1 milion e 900 mijë euro

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme është arrestuar një person në Gjilan pasi që i njëjti dyshohet se duke përdorur dokumente të falsifikuara ka arritur që të fitoj disa tenderë në institucionet lokale në Gjilan dhe Kamenicë.

Sipas Policisë, vlera totale e tenderëve të fituar me dokumente të falsifikuara arrin shumën rreth 1 milion e 900 mijë euro.

“Gjilan-Kamenicë (NN) 2018-2020-NN. Pas një pune hetimore, me datë 08.12.2021 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se i njëjti duke përdorur dokumente të falsifikuara ka arritur që të fitoj disa tender në institucionet lokale në Gjilan dhe Kamenicë. Si prova materiale janë sekuestruar: dy shtëpiza kompjuteri, gjashtë DUD doganor, aneks kontrata, katër vula të biznesit dhe një telefon. Vlera totale e tenderëve të fituar me dokumente të falsifikuara arrin shumën rreth 1.900.000,00 (1 milion e 9 qind mijë euro). Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.