Arrestohet çifti shqiptar në Itali, u kapën me 5 kilogramë kokainë
Një çift shqiptar është arrestuar në Itali, pasi u kapën me 5 kilogramë kokainë në aeroportin e Romës. Ata po ktheheshin nga muaji i mjaltit që kishin bërë në Brazil, për në Shqipëri, duke kaluar tranzit nga Italia
Policia financiare e provincës së Romës në bashkëpunim me policinë kufitare të aeroportit të Fiumicinos kanë arrestuar një çift shqiptar të sapo martuar që po tranzitonin përmes aeroportit të Romës drejt Tiranës me 5 kg kokainë fshehur në bagazhet e tyre.
Cifti shqiptar sapo ishte kthyer nga udhëtimi i mjaltit në Brazil.
Ka qënë sjellja e tyre e çuditshme në pyetjet e para e të zakonshme në kontrollin e dokumenteve që kanë shtyrë policinë italiane të dyshojë.
Gruaja ka rrëfyer menjeherë se është shtatëzënë duke shfaqur ekografinë e fëmijës e duke u shprehur se është në rrezik dështimi për të larguar vëmendjen e policisë kufitare.
Dyshimet e policisë së Romës u finalizuan me kontrollin e valixheve të çiftit.
Brenda tyre janë gjetur fshehur disa pako me rreth 5 kg kokainë e pastër.
Sipas autoriteteve italiane kjo sasi drogë do të sillte përgatitjen e mbi 100 000 dozave kokainë me vlerë përfitimi me mbi 2 milionë euro.
Çifti shqiptar është vënë nën pranga me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës