Arrestohet burri në Gjilan, detyroi gruan të abortojë në muajin e pestë të shtatzënësisë

A.R. nga Gjilani, që nga çasti kur e kishte kuptuar se ishte shtatzënë, para 5 muajsh, ka përjetuar vetëm dhunë nga burri me të cilin po jetonte.

Sh.H., 28-vjeçar, e ka detyruar dhunshëm viktimën që të abortojë fëmijën, por dhunën ndaj saj e kishte nisur muaj më parë.

Policia e Prokuroria nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, shkaku i ndjeshmërisë së rastit. Megjithatë, KTV-ja e ka siguruar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim për të pandehurin Sh.H. dhe aty janë dhënë detaje të dhunës së vazhdueshme psikike dhe fizike që A.R. kishte përjetuar për së paku 4 muajt e fundit.

Prokuroria arsyeton kërkesën për paraburgim me faktin se i dyshuari ka të kaluar kriminale dhe se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike vazhdimisht ndaj viktimës.

Por, KTV-ja ka mësuar se A.R. e kishte paraqitur rastin për herë të parë në polici, tek pasi ka abortuar dhe se këtë nuk e kishte bërë më herët shkaku i frikës nga i pandehuri.

Ai, fillimisht, kishte tentuar ta bindte atë që ta abortojë fëmijën, duke i thënë se ai nuk do të kujdeset për të dhe vajza do të turpërohej duke rritur një fëmijë e vetme.

Para hetuesve, viktima ka thënë se nuk ka pranuar këtë nga dëshira që ta lindte fëmijën e saj.

“Më 28 dhjetor 2018, përderisa ishin mysafirë te motra e të pandehurit, ai e godet fizikisht në fytyrë, duke e rrëzuar përtokë, e më pas e godet me shqelma në bark, me ç’rast, si pasojë e presionit, e dëmtuara largohet nga i pandehuri duke shkuar te familja e saj, mirëpo ai përsëri vazhdon duke i bërë presion në forma të ndryshme të abortojë fëmijën, saqë më 21 janar 2019 , arrin ta bindë të marrë vendim dhe, përkundër vullnetit të saj, e bind të shkojnë në Shkup për të kryer abortin e foshnjës, në muajin e pestë të shtatzënisë”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë.

Ligji për ndërprerjen e shtatzënisë, ndalon abortin pas javës së 10 dhe e njëjta formë është e rregulluar edhe në Maqedoni, ku viktima u detyra ta kryejë abortin.

Bazuar në këtë, sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari ka kryer dy vepra penale, atë të shtytjes në kryerjen e veprës penale “ndërprerja e palejuar shtatzënisë” dhe “shtrëngim”.

Për masën e sigurisë ndaj tij, gjykata në Gjilan pritet të vendosë të enjten.