Policia e Kosovës

Arrestohen dy persona në Klinë, përmes një agjencie turistike donin të dërgonin armatim në Gjermani

Policia e Kosovës për rajonin e Pejës ka bërë të ditur se është njoftuar nga pronari i një agjencie turistike se ka pranuar një çantë nga dy qytetarë për ta transportuar në Gjermani me autobus, i njëjti e ka hapur çantën në prezencën e personave të cilët e kishin sjellë çantën.

Në njoftim bëhet e ditur se me të hapur çantën pronari i agjensionit e ka vërejtur se aty kishte një armë.

“I njëjti menjëherë ka lajmëruar policinë, me të vërejtur se dëshmitari është duke lajmëruar policinë njëri nga të dyshuarit ka ikur nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Po ashtu sipas njoftimit, njësitet relevante të Stacionit Policor Klinë, menjëherë kanë dalë në vendngjarje ku ka arrestuar njërin nga të dyshuarit.

“Gjatë kontrollit në çantë janë gjetur dhe sekuestruar: Tetë armë pistoleta Zoraki 7.65mm, tetë karikator të armëve Zoraki, njëmbëdhjetë fishekë kal: 7.65mm dhe dhjetë fishekë 6.35mm”, bëhet e ditur në njoftim.

Për rastin është njoftuar prokurori, i njëjti ka urdhëruar që të bëhet kontrolli i shtëpive të personave të dyshuar, pas bastisjes në shtëpitë e të dyshuarve nuk është gjetur diçka e dyshimtë, mirëpo është arrestuar edhe personi i dytë.

Pas intervistimit nga hetuesit, të dyshuarit me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje për 48 orë.