Arrestohen dy mjekë, u merrnin para pacientëve për bërjen e skanerit

Dy mjekë të QSUT-së janë arrestuar pasi akuzohen për korrupsion.

Bëhet fjalë për Nazmi Metaliu me profesion mjek dhe Astrit Mansaku me profesion teknik imazherie.

Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë ushtrimit të detyrës, iu mundësonin qytetarëve të ndryshëm, kundrejt shumave monetare, bërjen e skanerit, në kundërshtim me rregulloren e Spitalit, për kryerjen e kësaj procedure.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Skaneri”, për gjurmimin dhe goditjen e rasteve të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës.

U morën para pacientëve, për të shmangur procedurën standarde spitalore, për bërjen e skanerit, vihen në pranga 2 shtetas (mjeku dhe tekniku i Shërbimit të Imazherisë në QSUT).

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me qëllim konstatimin e rasteve të korrupsionit dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të tyre, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Skaneri”.

Si rezultat i këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit:

– N. M., 63 vjeç, banues në Tiranë, me profesion mjek;
– A. M., 51 vjeç, banues në Tiranë, me profesion teknik imazherie.

Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë ushtrimit të detyrës, iu mundësonin qytetarëve të ndryshëm, kundrejt shumave monetare, bërjen e skanerit, në kundërshtim me rregulloren e Spitalit, për kryerjen e kësaj procedure.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.