“Arrestimi i Llepotës çështje orësh” – Edhe pesë ditë pas deklaratës së Qalajt, policia se ka arrestuar atë

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ditë më parë kishte deklaruar se arrestimi i Astrit Mehmetit i njohur me nofkën “Llepota” është çështje orësh.

“Në momentin e parë që kemi informacion ku është Astrit Mehmeti, do ta arrestojmë. Jemi duke punuar, besoj që do të arrestohet shumë shpejt. Është çështje e hetimeve dhe verifikimit të vendndodhjes, në momentin e parë që merret vesh vendndodhja e tij, nuk ka person që është i paprekshëm, është çështje orësh ose ditësh kur do të arrestohet” kishte thënë Qalaj.

Mirëpo, janë bërë një javë nga deklaratat e tij dhe ende nuk ka ndodhur arrestimi i tij.

Në një përgjigje për Insjaderin, Bajram Krasniqi zëdhënës në Policinë e Kosovës, ka thënë se ende nuk ka ndonjë zhvillim në arrestimin e Llepotës.

“Përveç arrestimit të disa prej grupit të tij që janë bërë të ditur, për këta ndërkohë nëse ka të dhëna të reja do ju informojmë”, ka thënë Krasniqi për Insajderin.

Me 9 nëntor pranë hyrjes së klubit të natës “Duplex”, grupi i Astrit Mehmetit kishte hapur  zjarr ndaj katër rojeve të sigurimit të klubit, të cilët kishin mbetur të lënduar.