Një numër i vogël i banorëve serbë të Mitrovicës janë mbledhur sot në sheshin “Car Llazar” për të protestuar kundër siç kanë deklaruar “ndërhyrjes brutale” të Policisë dje në komunat Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Në një operacion policor njësitë speciale të Policisë kanë arrestuar 19 zyrtarë të Policisë dhe 10 qytetarë në këto komuna si të dyshuar për kontrabandë dhe krim të organizuar.

Në mesin e të arrestuarve ka serbë, shqiptarë dhe boshnjakë. Të arrestuarit sot kanë dal para gjykatës ku prokuroria ka kërkuar paraburgim për të gjithë.

Folësit në protestë e që janë kryetarët e sapozgjedhur të komunave me shumicë serbe kanë kërkuar lirimin e të arrestuarve duke kërkuar po ashtu që të qëndrojnë në atdheun e tyre që ata e konsiderojnë Serbinë. Kryetari i Mitrovicës dhe njëherësh kryetar i Listës Serbe Goran Rakiq ngjarjet që kanë ndodhur dje i ka quajtur padrejtësi ndaj serbëve.

Njëherësh Rakiq u ka bërë thirrje protestuesve që të mos bien pre e që ai i ka quajtur provokime të ‘kuzhinës perëndimore’. Ndërsa kryetari i komunës së Zubin Potokut Sllagjan Vulloviq, ka thënë se brutalitet më të madh sesa dje nuk ka parë për këto 20 vjet.

Në protestë ka folur edhe drejtori i spitalit në veri të Mitrovicës Millan Ivaoviq sipas të cilit krejt kjo qka ka ndodhur dje është e motivuar etnikisht.
Fjalime të ngjashme kanë mbajtur edhe kryetarët e komunës Leposaviqit dhe Zvecanit, ndërsa protesta përfundoi e qetë dhe pa incidente.