Gjykata Themelore ka caktuar të mërkurën masën e arrestit shtëpiak në afat prej 30 ditësh ndaj  H.G, zyrtar në Komunën e Pejës i dyshuar se në mënyrë të kundërligjshme regjistroi një shtetas të huaj në sistemin e gjendjes civile.

Arresti shtëpiak është caktuar nga gjykatësja e procedurës paraprake, Nushe Kuka-Mekaj.

Një gjë të tillë për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar mbrojtësi i të pandehurit H.G, avokati Gëzim Kollqaku.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme, Prokuroria Themelore në Pejë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit H.G, zyrtar i gjendjes Civile në Komunën e Pejës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, falsifikim i dokumenteve zyrtar dhe legalizim i përmbajtjes së rreme.

Një gjë të tillë për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikqi.

Ndryshe, Policia e Pejës ka njoftuar dje se ka vënë nën pranga zyrtarin komunal të gjendjes civile nën dyshimet për korrupsion.

“DHKEK-u, pas pranimit të informatave fillestare, ka ndërmarrë veprime hetimore dhe ka siguruar dëshmi se i dyshuari i lartcekur, e ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile një shtetas të huaj duke mos i përfillur procedurat ligjore të regjistrimit fillestar të një personi në sistemin elektronik të gjendjes civile. I dyshuari ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke e vërtetuar, regjistruar dokumentin me të dhëna të rreme”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Personi i huaj, ishte regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile në KK Pejë në mënyrë të kundërligjshme, kinse është shtetas i Republikës së Kosovës, me këtë rast ka arritur t’i ketë në shfrytëzim dokumentet identifikuese (pasaportë, letërnjoftim dhe patentë shofer).

I dyshuari H.G. është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës me aktvendim të prokurorit të shtetit dërgohet në mbajtje për 48 orë”, thuhet në komunikatën e Policisë.