Arrest shtëpiak për shoferin i cili shkaktoi aksidentin tragjik në rrugën Shkup-Bllacë

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka marrë vendim për zhvillimin e procedurës hetuese ndaj personit për të cilin ekziston dyshimi se ka kryer vepër penale “Krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion”.

I dyshuari 64-vjeçar nga Shkupi, më 17 qershor, në rrugën kryesore Shkup – vendkalimi kufitar “Bllacë” në drejtim nga jugu në veri, drejtonte veturën “Volkswagen Turan” me targa të Shkupit.

Kur ka ardhur para tunelit të “Badarit”, ku qarkullimi rregullohet me sinjalistikë të komunikacionit për shkak të punimeve në rrugë, ka bërë parakalim të një kolone automjetesh që lëviznin në të njëjtin drejtim. Në momentin e tejkalimit ka pasur kontakt në mes të tij dhe një veture “BMW” me targa të Kosovës, e cila lëvizte si automjeti i tretë në kolonën që i dyshuari po parakalonte.

Si pasojë e përplasjes vetura BMW ka dalë nga rruga dhe ka rënë në shtratin e lumit Lepenc, ndërsa vetëm njëri nga udhëtarët ka arritur të dalë nga automjeti, ndërsa trupat e tre të tjerëve janë gjetur të nesërmen kur automjeti është nxjerrë nga lumi, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Gjatë procedurës hetimore, prokurori publik do të merr veprime, ku do të dëgjohen dëshmitarë dhe do të urdhërojë ekspertizë për zbardhjen e tërësishme të rastit.

Duke marrë parasysh moshën dhe gjendjen shëndetësore të të dyshuarit, por edhe nevojën për sigurinë e tij gjatë procedurës penale, prokurori publik kompetent sot në Gjykatën Themelore Penale Shkup ka dorëzuar propozim për caktimin e masës arrest shtëpiak, si dhe masë shtesë të kujdesit, konfiskim i dokumenteve të udhëtimit.