Armend Muja kërkon falje pas sjelljes arrogante ndaj punëtores së Kuvendit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka reguar pasi sot në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Media, ku ai është kryetar, bëri sjellje të pahijeshme ndaj një punëtoreje të Kuvendit.

Për këtë gjest, që u bë lajm i ditës, Muja ka kërkuar falje, me arsyetimin se sjellja e tij ishte për shkak presionit në atë mbledhje ku diskutohej për RTK-në, shkruan Ballkani.info.

“Rrethanat të cilat sollën tek sjellja ime ekspresive, nuk e arsyetojnë atë, përkundrazi janë mësim të jem shumë më i kujdesshëm dhe respektues ndaj stafit ndihmës të Komisioneve funksionale të Kuvendit”, ka shkruar ai.

Reagimi i plotë:

Reagim

Ngjarja e sotme në takimin e Komisionit për buxhet, punë dhe transfere e shkëputur në media e cila portretizon komunikimin tim me zyrtaren e Komisionit, është një ngjarje me të cilën nuk dua të karakterizohet personaliteti im. Gjatë seancës një nga zyrtaret e Kuvendit po propozonte forma se si të tejkalohej një ngërrç ndërmjet kërkesës së RTK-së për votim të shpejtë të raportit tremujor të shpenzimeve dhe nesh për një raport më të detajuar para votimit. Këto diskutime krijonin pak vështirësi në mbarëvajtje të seancës dhe diskutimeve nga deputetët.

Rrethanat të cilat sollën tek sjellja ime ekspresive, nuk e arsyetojnë atë, përkundrazi janë mësim të jem shumë më i kujdesshëm dhe respektues ndaj stafit ndihmës të Komisioneve funksionale të Kuvendit. Unë shpreh keqardhjen time për këtë ngjarje, i kërkoj ndjesë publike punëtores së administratës së Kuvendit dhe e mirëpres bashkëpunimin tonë të radhës. Në poziten e Kryetarit të Komisionit do të jem bashkëpunues dhe i hapur për të gjithë, deputetët, punëtorët e Kuvendit, mediat, shoqërinë civile dhe gjithë qytetarët e Republikës. Puna që kemi para vetit është me përgjegjësi të madhe, andaj edhe kujdesi ndaj tjerëve duhet të jetë i madh.

Me respekt,

Armend Muja