Armend Muja është kandidat për deputet nga Mitrovica, e jashtë Faruk Mujkën dhe ‘gardën’ e vjetër atje

Lëvizja Vetëvendosje në Mitrovicë ka njoftuar se në listën zgjedhore për deputetë, nga qyteti i Mitrovicës do të kandidojë Armend Muja dhe Arjeta Fejza, ndërkohë që aktivistët e vjetër të VV’së në Mitrovicë do të mbesin jashtë.

Muja dhe Fejza u votuan nga Këshilli i Qendrës së Vetëvendosjes në Mitrovicë për t’u futur në listën për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit që do të mbahen në Kosovë.

Aderimi i Armend Mujës në Vetëvendosje ishte një nga temat e javës. Derisa kandidatura e tij për deputet mund të propozohej edhe nga Kryesia e Ngushtë e Vetëvendosjes. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Muja u propozua nga dega e Vetëvendosjes në Mitrovicë duke mos i lënë gardën e vjetër të aktivistëve aty që të garojnë për deputetë. Një ndër aktivistët e njohur të Mitrovicës është Faruk Muja.

I propozuar nga dega fillimisht ishte Faruk Mujka, aktivist shumëvjecar i Vetëvendosjes dhe kryetar i degës së saj në Mitrovicë.

Mirëpo, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, futi befasisht në këtë garë Armend Mujën, i cili dje u bë pjesë e Vetëvendosjes. Të aderuarin në qendër të partisë, Kurti vendosi që ta coi në degën e Mitrovicës.

Kurti ka pasur mundësi që të sapoardhurin Muja ta fuste në listën zgjedhore me propozim të tij ose të Kryesisë, sepse sipas ndryshimeve të fundit të statutit të partisë, 25 për qind të listës zgjedhore e propozon lideri dhe 25 për qind e propozon kryesia e ngushtë. Në këshill votohen propozimet e degëve, që i bie 50 për qind të listës.


Gjithsesi, pas propozimit të Armend Mujës, Mujka u tërhoq nga gara, për të mos i dalë kundër vullnetit Qendrës

Sidoqoftë, Këshilli i VV-së votoi dhe zgjodhi që kandidatë për deputetë nga Mitrovica të jenë Muja dhe Arjeta Fejza.

Faruk Mujka është mbi dhjetë vjet aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, kryetar i degës dhe nënkryetar i komunës së Mitrovicës në dy mandate dhe nënkryetar i Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Mujka që ka qenë pjesë e partisë që prej themelimit të degës, nuk i ra që të jetë pjesë e suksesit të VV’së, që po parashihet prej sondazheve.