ambasadori amerikan

Arkiva është armiku i këtij pushteti, në vitin 2015 ambasadori amerikan i kishte thënë ato çka dje i tha Escobar

Qëndrimi i të dërguarit të Posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se Asociacioni komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, ka entuziazmuar shumë zyrtarë dhe aktivistë të partisë në pushtet.

Me te lexuar deklaratën e diplomatit amerikan, ata nisen të konstatojnë nëpër rrjete sociale se kryeministri Albin Kurti, ka arritur që të ndryshoi qëndrimin zyrtarëve amerikan për këtë çështje.

Mirëpo, nëse shohim qëndrimet e më hershme të zyrtarëve dhe ambasadorëve amerikanë në Kosovë, ata çdo herë kanë thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të jetë në përputhje në Kushtetutën e Kosovës.

Të njëjtin qëndrim e kishte mbajtur edhe ish-ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, GregDelawie.

Në një intervistë për gazetën Zëri, në dhjetor të vitit 2015, Delawie kishte thënë se Gjykata Kushtetues i ka dhënë qeverisë udhëzime specifike se si duhet hartuar statuti, në mënyrë që ai të jetë në përputhje me Kushtetutën.

“Sa i përket vendimit të Gjykatës: e kemi lexuar aktgjykimin me shumë vëmendje. Ishte i gjatë dhe ligjor dhe çka e kam kuptuar nga vendimi i Gjykatës është se të kesh Asociacion të komunave me shumicë serbe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Gjykata i ka dhënë qeverisë udhëzime specifike se si mund të hartohet statuti për këtë Asociacion në mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe aty po ashtu thuhet se duan ta shohin statutin kur të hartohet. Pra, po dëgjoj se njerëzit po thonë që Gjykata ka thënë se kjo ide nuk është në përputhje me Kushtetutën, por mendoj se nëse e lexoni me vëmendje e shihni se Gjykata thotë se (a) një organ i tillë mund të krijohet, dhe (b) kjo është mënyra se si e krijoni në mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, kishte thënë Delawie.

Më i entuziazmuari nga deklaratat e Escobarit ishte deputeti i LV-së, Dimal Basha.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se amerikanët vetëm duhet të bindën me argumente.

“Amerikanët veç kërkojnë me i bindë që diçka nuk bën, e kur e sheh që Zajednica që e kanë nënshkruat ata hajgarexhitë e krijon një Bosnje të dytë, normal që as amerikanët nuk e dojnë një Kosovë jofunksionale! Për 16 muaj ka ndryshu për 180 shkallë politika e jashtme”, ka thënë ai.

Çfarë tha Escobar?

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë një bashkëbisedimi, ka thënë se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas tij, asociacioni nuk duhet të jetë “shtet brenda shtetit”, Shkruan Nacionale.

Diplomati amerikan ka thënë se qëndrimi i SHBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bie ndesh me ligjet.

“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, ka deklaruar ai.

Escobar tha se ka modele të shumta evropiane, ku minoritetet mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojmë.

“Ne duam të gjejmë disa prej këtyre shembujve, dhe ndoshta edhe t’i përdorim si udhëzues për të zbatuar Asociacionin. Prandaj, kam shpresë se mund t’i diskutojmë këto në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji”, është shprehur ai.

Sipas tij, për Shtetet e Bashkuara, çështja e Kosovës “nuk është çështje e hapur”.

Ai ka deklaruar se Uashingtoni dëshiron që Kosova të njihet prej të gjitha shteteve të BE-së dhe të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, raporton Nacionale.

“Ne besojmë se ka një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave. Besoj se jemi afër zbatimit e udhërrëfyesit për energjinë në veri, jemi afër nënshkrimit të marrëveshjes për të pagjeturit dhe shpresoj që palët do ta nënshkruajnë këtë marrëveshje shumë shpejt. Dhe sikurse sekretari [amerikan i Shtetit, Antony] Blinken u tha presidentes [Vjosa Osmani] dhe [Albin Kurti] kryeministrit të Kosovës kur ishin në SHBA, ne duhet të nisim diskutimin për Asociacionin”, ka deklaruar Escobar.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të ketë njëetnik.

“Se çfarë do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve, edhe veprimet e atëhershme opozitare, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion njëetnik. Pra, është e domosdoshme t’i integrojmë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie”, kishte thënë Kurti.