Futbollisti shqiptar

Arijan Ademi mbyll karrierën te Maqedonia e Veriut

 Njëri prej futbollistëve më të mirë të Maqedonisë së Veriut ka vendosur t’i japë fund karrierës ndërkombëtare. Bëhet fjalë për mesfushorin luftarak Arijan Ademi, që është kapiten dhe lider i Dinamos së Zagrebit.

Të premten, selektori i Maqedonisë së Veriut, Blagoja Milevski, ka njoftuar se Ademi ka vendosur përfundimisht të tërhiqet nga Maqedonia e Veriut. Kështu përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut do të mbetet me një shqiptar më pak dhe atë shumë të rëndësishëm.

“Më vjen keq sidomos për mungesën e Arijan Ademit, që për arsye personale ka vendosur ta përfundojë karrierën në reprezentacion. Kam pasur një bisedë me Arijanin. Do të na mungojë si person dhe si lojtar i futbollit. Ai është kategorik në vendimin e tij. Ai ndien se është momenti për largim nga ekipi përfaqësues dhe ne nuk do të llogarisim në të”, ka thënë Milevski për sajtin zyrtar të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut.

“Të gjithë duhet të jemi mirënjohës për kontributin e tij në ekipin nacional të Maqedonisë dhe për futbollin tonë në përgjithësi. Kemi propozuar që t’i organizohet një ndeshje lamtumire. I takon atij të vendosë nëse do të ndodhë në ndeshjen me Kroacinë më 3 qershor, në ndeshjen e parë në Shkup”, ka shtuar Milevski.