Arianit Ahmeti: FFK-në e kanë kapur anarkistët, por unë besoj në delegatët

Zëvendëssekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Arianit Ahmeti, i cili sot u shkarkua nga Komiteti Ekzekutiv, ka thënë për Insportin se nuk ka asnjë dëshmi as dokument për këtë vendim dhe se kjo çfarë po ndodh është anarki.

“Unë jam në pushim vjetor, por përmes e-mailit nga ish-sekretari i përgjithshëm (sepse tash duhet të quhet ish-sekrerar) jam ftuar të kthehem në punë për shkak të aktiviteteve. Unë po pres, të shoh, a ka ndonjë letër, ndonjë dëshmi, ndonjë vendim…”, ka thënë Ahmeti për Insporti.com.

Tutje ai ka shtuar se FFK është kapur nga anarkistët dhe shpreson që gjërat të ndryshojnë. “Ishalla këtë vend nuk e kanë marrë anarkistët në dorë, sepse unë besoj në këtë vend, besoj në aktet juridike”, është shprehur Ahmeti, duke shtuar se po shihet kush po e politizon dhe pas kujt po qëndron politika. “Është e qartë se pas Agim Ademit e Eroll Salihut po qëndron politika dhe minsitrat servilë”, ka thënë Ahmeti.

Megjithatë, ai beson në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së do të fitojë postin e presidentit. “Ata e kanë uzurpuar FFK-në dhe këtë e dëshmoi edhe MKRS-ja. Por unë besoj në delegatët e FFK-së, besoj që në rrugën e drejtë, në rrugën e Zotit dhe në rrugën e akteve juridike nuk mund të të ndalë askush”, ka thënë në fund Arianit Ahmeti.