Ardian Nuhiu e vlerëson Feyenoordin, por nuk e nënçmon kualitetin e ekipit që drejton

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka deklaruar në konferencën për media se përballja me Feyenoordin, do të jetë një eksperiencë e mirë për të si trajner dhe për lojtarë. Ai shtoi e njohin shumë mirë Feyenoordin, të cilin e kanë analizuar dhe e dinë se nga mund të vjen rreziku.

“Do të jetë një eksperiencë e mirë, si për mua si trajner e po ashtu edhe për ekipin tim. Më vjen mirë që këta futbollistë arritën të sjellin këtu një ekip të madh siç është Feyenoordi. Ne kemi përparësi sepse ne dimë gjithçka për Feyenorrdit. Kemi analizuar shumë ndeshje të tyre, si në aspektin ekipor e po ashtu edhe individual për çdo futbollistë. E dimë që bëhet fjalë për një skuadër shumë të fortë. Kanë lojtar cilësorë, sidomos sulmuesit e krahut e po ashtu edhe në mesfushë e mbrojtje janë të fortë. Kanë lojtarë të rrezikshëm”, tha Nuhiu.

Ai shtoi se është sportive që të besojnë se mund ta befasojnë gjigantin holandez. Thotë se e vlerësojnë kundërshtarin, por nuk e nënçmojmë kualitetin që kanë.

“Është sportive që të shpresojmë. Jemi të përgatitur maksimalisht. E dimë që kemi përballë një ekip të fortë. Në futboll ndodhin gjithmonë befasi. Por asnjëherë nuk do të dorëzohemi. Do ta vlerësojmë kundërshtarin, por asnjëherë nuk do ta nënvlerësojmë kualitetin që kemi. Do të japim më të mirën. Presim dhe shohim. Formacionin do ta zbulojmë në ditën e ndeshjes, në varësi të kundërshtarit. Do të shohim”, përfundoi Nuhiu.