Ardian Gjini ka një porosi për Shpend Ahmetin rreth taksës për hyrje në Prishtinë

Propozimi i kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, për të iu vendosur taksë qytetarëve që hyjnë me vetura në kryeqytet, nuk është pritur mirë nga kryetarët e komunave tjera në vend. As kryetari i Gjakovës nuk po e sheh të arsyeshme vendosjen e një takse të tillë.

Taksa për veturat që hyjnë në Prishtinë është propozuar nga kryetari Shpend Ahmeti për të rregulluar çështjen e tollovisë në komunikacion dhe për të zvogëluar ndotjen e ajrit.

Propozimi i Ahmetit po kundërshtohet nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Ai ka thënë për Express se zhvillimi ekonomik i Prishtinës vjen nga e gjithë Kosova dhe çmimi i kësaj është tollovia.

“Po duket se është ide e gabuar por duhet parë më saktë se si po mendon Komuna e Prishtinës. Sidoqoftë, gjithçka e ka një çmim. Zhvillimi ekonomik i Prishtinës vjen nga gjithë Kosova dhe çmimi është pak më shumë tollovi. Nëse ndalen ardhjet nga e gjithë Kosova, ndalet edhe zhvillimi”, ka deklaruar Gjini.

Gjini vlerëson se problemet në komunikacion duhet të zgjidhen duke e avancuar infrastrukturën.

Ai thotë se ka edhe qytete tjera në botë që vendosin taksë ekologjike për lëvizje nëpër qendra, por këtë e bëjnë për të gjitha veturat, e jo vetëm për ato që vijnë nga qytetet tjera.

“Prishtina ka nevojë për lëvizje ndërsa problemet në trafik duhet t’i zgjidhë me avancim të infrastrukturës.  Ka qytete në botë që vendosin taksë ekologjike për lëvizje nëpër qendra të tyre, por ato nuk i vendosin në mënyrë diskriminuese për veturat që vinë nga qytetet tjera, por për  të gjitha veturat, edhe për ato të vetat. Sidoqoftë, duhet parë me kujdes së cila në të vërtetë është ideja”, ka thënë Gjini.