Ardian Gjini: Autostrada e Dukagjinit jetike, rrugët atje kanë mbetur qysh i ka lënë Shoku Tito

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se ndërtimi i autostradave është një cikël që e ka një fund.

“Vetëm për t’a shpjeguar situatën. Sot e kemi kaluar buxhetin komunal në Gjakovë dhe prapë dikush tha ‘deri kur duam të bëjmë asfalt?’. Përgjigja ime ka qenë ‘derisa të kryhen rrugët se nuk jemi duke i shtruar nëpër ara, por aty ku ka baltë’.

“Në Gjakovë deri në vitin 2021 kryhen të gjitha rrugët. Është një cikël që mund të vonohet deri në vitin 2022, por nuk flasim më për rrugët sepse kryhen. Edhe për autostrada kryhen sepse askush nuk po i çon autostradat ku nuk ka dalje, por Autostrada e Dukagjinit lidh tri qytetet më të mëdha”.

Gjini në Zona Zgjedhore të Klan Kosovës ka thënë se Autostrada e Dukagjinit – shumë e kritikuar – duhet të ndërtohet.

“Po lypin zgjerim të rrugëve që është i pabëshëm. Nuk mund të bëhet në Dukagjin. Është bërë zgjerimi prej Prishtinës për Pejë deri në Kijevë, por kanë qenë vetëm dy fyta të ngushtë të evitueshëm lehtë”.

“Në Dukagjin, nëse nisesh prej Istogut dhe shkon deri në Prizren krejt rrugës janë fshatra që duhet të devijohen komplet. Në atë trase të rrugës prej 90 kilometrash, vetëm 20 kilometra është e mundshme që të zgjerohet traseja ekzistuese, krejt tjerat janë devijime që janë edhe më të kushtueshme se sa të shkohet në trase të rrugës”.

“Është shumë gabim çfarë po flasin për Autostradën e Dukagjinit, por kanë të drejtë të flasin. Autostrada e Dukagjinit duhet të ndërtohet, është jetike të ndërtohet për zhvillimin e asaj ane që ka mbetur me rrugë qysh i ka lënë Shoku Tito”.

Ai ka thënë se nuk mund të flitet për implikimet financiare në buxhet pasi akoma gjithçka është vetëm hipotetike.

“E vetmja gjë që dihet është që autostrada kushton përafërsisht 500 milionë euro sepse dihet sa kushton kilometri”.

“Fillimisht duhet ta kesh përcaktimin politik për ta kryer, atëherë e bën edhe fizibilietetin dhe analizat me variante. Çdo projekt nis me një vendim politik”.

Këtu është pajtuar edhe Donika Kadaj-Bujupi e cila e ka bërë edhe një ndërlidhje me Rrugën e Kombit.

“Me pasë llogarit koston për Rrugën e Kombit nuk e kishim bërë kurrë”.

loading…