Ardhja e afganëve, Qeveria tregon se cilëve personave të tjerë do t’iu ofrohet mbrojtje

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur mbrëmë se ka mbajtur mbledhje në formë elektronike, ku thuhet se kanë marrë vendim për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Sipas këtij vendimi, përveç personave që janë në proces të aplikimit për Special Immigrant Visa (Vizave të Veçanta Imigruese) të SHBA-së, atyre të kualifikuar nën grupin P2 (klasifikim i veçantë i përcaktuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan si Prioriteti 2), mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershëm do t’i ofrohet edhe personave tjerë, në bazë të marrëveshjes me SHBA-së, të cilët do të zhvendosen në SHBA apo në një shtet tjetër të tretë, përfshirë familjarët e tri këtyre grupeve.


Kosova ka qenë ndër shtetet e para që i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së SHBA-së për të strehuar afganët, të cilët kanë bashkëpunuar me forcat amerikane, pasi talibanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit.

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se mbërritja e civilëve afganë në Kosovë është çështje ditësh dhe se ardhja e tyre varët nga organizimi i transportimit që po kryhet nga SHBA.

Numri i saktë i refugjatëve afganë që do të pranojë Kosova ende nuk dihet, por presidentja ka deklaruar se po punohet në zgjerimin e kapaciteteve për të pranuar sa më shumë prej tyre.

Njoftimi i plotë:

Qeveria ka zhvilluar mbledhjen e saj të 30-të, edhe kësaj radhe në formë elektronike. Në këtë mbledhje është marrë vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e pikës 2 të Vendimit të Qeverisë Nr. 01/26 të datës 16.08.2021 i cili është ndryshuar dhe plotësuar me vendimin Nr. 01/28 të datës 21.08.2021 për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Sipas këtij vendimi, përpos personave që janë në proces të aplikimit për Special Immigrant Visa (Vizave të Veçanta Imigruese) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atyre të kualifikuar nën grupin P2 (klasifikim i veçantë i përcaktuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan si Prioriteti 2), mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershëm do t’i ofrohet edhe personave tjerë, në bazë të marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët do të zhvendosen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në një shtet tjetër të tretë, përfshirë familjarët e të tre këtyre grupeve.