Në një intervistë me Ballkani.info deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka folur mbi shqetësimin e ngritur në Kuvendin e Kosovës, ku sipas saj po bëhet plaçkitje në trajnimin e mësimëdhënsve nga Organizata DRIT’ e cila udhëhiqet nga motra e deputetes Arbërie Nagavci.
Në lidhje me këtë Ballkani.info ka kontaktuar deputeten e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci e cila akuzat e Haxhiut i ka quajtur shpifje.
“Ajo është një tendencë e ulët, s’ka asnjë fakt, asnjë bazë nga deputetja Haxhiu. Unë e kam bërë një reagim në Facebook, në lidhje me këtë. Ajo e ka keqpërdorur foltoren e Kuvendit, meqenëse ka imunitet. Përndryshe, ska asgjë tjetër në deklaratë. Kjo është shpifje e poshtër në atë që zonja Haxhiu ka thënë plaçkitje”, ka deklaruar Nagavci.
Gjithashtu, Haxhiu ka ngritur dilema në pasurinë që posedon deputetja Nagavci, duke përfshirë banesën dhe makinën. Ndërsa, kjo e fundit për Ballkani.info ka thënë që pasuria dhe të dhënat e saj janë publike, dhe kushdo që është i interesuar mundet të hetojë.
“Pasuria ime dhe të dhënat e mija janë publike. Të gjithë ata që janë të interesuar të mirren më këtë çështje munden të hetojnë, nuk kam asgjë për të fshehur”, ka thënë Nagavci. /Ballkani.info/






