Mjeku i njohur dhe kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Arbër Tolaj, ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe investimeve në kulturë, duke e cilësuar atë si garanci për identitetin dhe të ardhmen e vendit.

Përmes një postimi, Tolaj tha se kultura dhe monumentet historike janë dëshmi e gjallë e rrënjëve shqiptare në këto troje, duke kritikuar mungesën e përkrahjes institucionale për vlerat kulturore dhe artistët.

“Mbrojtja e trashëgimisë sonë kulturore nuk është thjesht kujdes për të kaluarën, por është investimi më i sigurt për identitetin dhe të ardhmen tonë. Kultura dhe monumentet tona historike janë dëshmia e gjallë e rrënjëve tona në këto troje”, ka deklaruar Tolaj.

Ai shtoi se me programin e AAK-së synohen investime serioze në infrastrukturën kulturore, restaurim të monumenteve dhe mbështetje më dinjitoze për artistët dhe ruajtësit e trashëgimisë kulturore.

“Është e pafalshme që vlerat tona unike kulturore dhe artistët tanë shpesh lihen në harresë dhe pa përkrahjen e duhur institucionale. Me programin e Aleancës ne zotohemi për një kthesë rrënjësore”, u shpreh ai.

Në fund, kandidati me numër 5 në listën e AAK-së u bëri thirrje qytetarëve që më 7 qershor të votojnë për, siç tha ai, “njerëzit e punës dhe projekteve konkrete”.