Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arbër Tolaj, i cili garon me numrin 5, ka theksuar rëndësinë e forcimit të sektorit të sigurisë në vend, duke kërkuar mbështetje më të madhe për Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Përmes një deklarate publike, Tolaj ka vlerësuar se siguria e Kosovës mbetet një nga prioritetet kryesore shtetërore dhe se institucionet e sigurisë duhet të kenë përkrahjen e nevojshme për të kryer misionin e tyre.

“Siguria e Kosovës është jetike, andaj nevojitet një përkrahje më e madhe për Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka deklaruar ai.

Tolaj ka theksuar se për të personalisht, por edhe për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, çështja e sigurisë nuk është temë kompromisi.

“Për mua, si kandidat për deputet, dhe për Aleancën, siguria është e panegociueshme dhe pa kompromis”, është shprehur ai.

Kandidati i AAK-së ka ritheksuar angazhimin e tij për politika që synojnë forcimin e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë dhe garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.