Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arbër Tolaj, ka kritikuar politikat ekonomike të qeverisë, duke thënë se ndihmat financiare të ndara për qytetarët nuk po arrijnë ta përballojnë rritjen e kostos së jetesës.
Përmes një deklarimi televiziv, Tolaj ka theksuar se familjet po përballen me humbje shumë më të mëdha si pasojë e shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe rritjes së çmimeve.
“Sikur një familje të ketë marrë 100 euro ndihmë nga shteti, vetëm nga shtrenjtimi i energjisë elektrike brenda vitit ata kanë humbur 10-fishin e asaj që u është ofruar”, ka deklaruar ai.
Sipas Tolajt, çmimet e produkteve bazë dhe shporta familjare po vazhdojnë të shtrenjtohen, ndërsa ndihmat që po jepen i ka cilësuar si “ad-hoc” dhe të pamjaftueshme për të përmirësuar gjendjen ekonomike të qytetarëve.
Ai ka kërkuar zgjidhje më afatgjata dhe më të qëndrueshme ekonomike, duke propozuar rritjen e koeficientit të pagave, mbështetje më të madhe për sektorin privat dhe investime kapitale që, sipas tij, do të gjeneronin zhvillim ekonomik afatgjatë.
Tolaj po ashtu ka theksuar nevojën për ndryshim të skemës sociale, me qëllim që mbështetja për qytetarët të jetë më efektive dhe më e drejtë.







