Peja sonte u shndërrua në një qendër të fuqishme mobilizimi dhe përkrahjeje për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Kandidati për deputet nga AAK, me numër 5, Arbër Tolaj, deklaroi se tubimi në Pejë nuk ishte thjesht një organizim politik, por një dëshmi e qartë e besimit dhe dashurisë së qytetarëve për vizionin e Aleancës.
“Peja sonte nuk ishte thjesht një qytet që organizoi një tubim, ishte një uragan përkrahjeje dhe një vulë e palëkundur për fitoren e AAK-së”, u shpreh Tolaj, duke theksuar se në çdo shtrëngim duarsh dhe në çdo thirrje për fitore ndjeu forcën e një populli që nuk thyhet kurrë.
Ai kujtoi lidhjen e veçantë që ka me këtë qytet, duke e cilësuar Pejën si shtëpinë e tij dhe si kështjellën e Aleancës, prej nga – sipas tij – kanë nisur gjithmonë fitoret e mëdha për Kosovën. Tolaj falënderoi qytetarët për përkrahjen e vazhdueshme, duke theksuar se ata asnjëherë nuk e kanë lënë vetëm as atë dhe as vizionin e përbashkët.
Sipas tij, motoja e AAK-së “Krah teje” sonte mori kuptimin më të plotë pikërisht në Pejë, ku u konfirmua edhe një herë uniteti dhe besnikëria ndaj rrugëtimit të përbashkët politik.
“Me këtë energji, me këtë besnikëri nga Peja dhe me këtë dashuri për vendin, fitorja nuk është vetëm synim – është fakt”, përfundoi Tolaj, duke falënderuar qytetarët e Pejës për, siç u shpreh ai, rreshtimin e drejtë dhe të pathyeshëm në krah të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.







