Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me numër 5 në listë, mjeku i njohur Arbër Tolaj, ka vlerësuar lart rolin dhe kontributin e diasporës shqiptare për Kosovën, në kohën kur ka nisur procesi i votimit të mërgatës.
Përmes një postimi, Tolaj ka theksuar se diaspora ka qenë dhe mbetet “shtylla e palëkundur e mbijetesës dhe zhvillimit të Kosovës”, duke potencuar se kontributi i saj tejkalon çdo dimension ekonomik e patriotik.
Ai ka nënvizuar se remitancat nga diaspora arrijnë mbi 1.3 miliard euro në vit, duke i cilësuar ato si burimin kryesor të mirëqenies për mijëra familje dhe një mbështetje kyçe për bizneset vendore.
“Sipas të dhënave të fundit, remitancat që vijnë nga diaspora kapin vlerën e mbi 1.3 miliard eurove në vit, duke qenë infuzioni kryesor për ekonominë e Kosovës”, ka shkruar Tolaj.
Kandidati i AAK-së ka shtuar se në një periudhë sfiduese ekonomike, kur raportet ndërkombëtare e rendisin Kosovën në pozita të vështira, është pikërisht puna dhe djersa e mërgimtarëve që e mbajnë gjallë ekonominë e vendit.
Tolaj ka theksuar gjithashtu rëndësinë e pjesëmarrjes së diasporës në proceset demokratike, duke thënë se tashmë mërgata, përveç mbështetjes financiare, do ta ketë edhe zërin e saj meritor në vendimmarrje për ndërtimin e një Kosove më të fortë, më të sigurt dhe me zhvillim të qëndrueshëm.
Në fund të mesazhit të tij, ai ka falënderuar bashkatdhetarët për dashurinë dhe përkushtimin e vazhdueshëm ndaj atdheut.







