Mjeku i njohur dhe kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arbër Tolaj, ka kërkuar më shumë mbështetje për sektorin e bujqësisë, duke e cilësuar atë si shtyllë të zhvillimit ekonomik të vendit.
Përmes një postimi, Tolaj ka theksuar se fermerët në Kosovë po përballen me sfida të shumta, përfshirë rritjen e kostove të prodhimit, mungesën e sigurimit të kulturave bujqësore dhe mbështetjen e pamjaftueshme institucionale.
“Bujqësia është shtylla e zhvillimit tonë ekonomik, por sot fermerët po përballen me sfida të mëdha, rritje të kostove të prodhimit, mungesë të sigurimit të kulturave bujqësore dhe mbështetje të pamjaftueshme nga shteti”, ka deklaruar Tolaj.
Ai ka bërë të ditur se për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, bujqësia është prioritet dhe jo vetëm premtim elektoral.
“Për Aleancën, bujqësia nuk është vetëm premtim, por prioritet me opsione të qarta dhe konkrete”, u shpreh kandidati i AAK-së.
Tolaj ka prezantuar edhe disa nga masat që, sipas tij, do të ndihmojnë fermerët dhe prodhuesit vendorë, duke përmendur rritjen e subvencioneve dhe granteve direkte, mbështetjen për dëmet nga fatkeqësitë natyrore dhe modernizimin e infrastrukturës bujqësore.
“Rritje e menjëhershme e subvencioneve dhe granteve direkte për prodhuesit vendorë, mbështetje në mbulimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore përmes fondeve të sigurisë dhe modernizim i sistemeve të ujitjes për të rritur rendimentin”, ka theksuar ai.
Në fund, Arbër Tolaj ka bërë thirrje që vëmendja të rikthehet te toka dhe puna e fermerit, duke shtuar se vetëm përmes mbështetjes së drejtë mund të sigurohet prodhim vendor dhe ekonomi më e fortë.
Arbër Tolaj garon për deputet nga lista e AAK-së me numrin 5.






