Mjeku i njohur dhe kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arbër Tolaj, ka deklaruar se Aleanca është e organizuar në të gjitha nivelet dhe e gatshme për zgjedhjet e ardhshme.

Sipas Tolajt, përgatitjet zgjedhore po zhvillohen sipas planit dhe programit të përcaktuar nga partia, ndërsa në teren po vërehet një entuziazëm i madh i qytetarëve për ndryshim.

“Aleanca është shumë mirë e organizuar në të gjitha nivelet. Përgatitjet për zgjedhje janë duke shkuar sipas planit dhe programit të përcaktuar. Ekziston një entuziazëm i veçantë pasi që vendi nuk është në situatë të mirë”, ka deklaruar Tolaj.

Ai ka theksuar se AAK vazhdon të ofrojë alternativa konkrete dhe zgjidhje më të mira për shtetin dhe qytetarët e Kosovës.

“AAK ofron gjithmonë një zgjidhje më të mirë për shtetin, si dhe për qytetarët e Kosovës”, është shprehur kandidati i AAK-së.

Duke folur për pragun zgjedhor, Tolaj ka thënë se kjo çështje nuk ka qenë asnjëherë temë diskutimi brenda partisë, pasi sipas tij Aleanca është e bindur në fitore dhe në rezultat pozitiv.

“Sa i përket pragut kjo nuk është temë që është diskutuar asnjëherë në parti, sepse ne jemi në një betejë që do ta fitojmë”, deklaroi ai.

Tolaj u shpreh i bindur se AAK do të dalë fuqishëm nga këto zgjedhje, me rezultat dinjitoz dhe me numër dyshifror deputetësh në Kuvendin e Kosovës.

“Nga këto zgjedhje do të dalim fuqishëm, do të dalim dinjitoz dhe me shifra të mira siç i meriton Aleanca dhe numri i deputetëve do të jetë dyshifror”, përfundoi Arbër Tolaj, kandidat për deputet nga AAK me numrin 5.