Arben Kingji dekretohet shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, kush është kuksiani që ka shërbyer në Irak e Afganistan

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dekretoi sot emërimin e Gjeneral Brigade Arben Voke Kingji si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Sipas njoftimit për shtyp të Presidencës, Gjeneral Brigade Arben Kingji mbante detyrën e Komandantit të Forcës Tokësore.

Gjeneral Brigade Arben Kingji ka drejtuar deri më sot Forcën Tokësore të FA dhe më herët ka mbajtur detyrën e komandantit të Batalionit të Mbështetjes në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Gjeneral brigade Arben Kingji ka ushtruar edhe detyra të tjera si ajo e atasheut ushtarak të Republikës së Shqipërisë në Rumani. Me herët ai ka qenë edhe komandant i Policisë ushtarake. Ka kryer Kursin e Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë.

Gjeneral brigade Kingji ka mbajtur detyrën e komandantit të kontingjentit në disa misione në Afganistan e Irak.

Në vitin 2016 ai përfundoi edhe studimet për drejtësi në Wisdom University. Për kontributet e tij në Forcat e Armatosura, gjeneral brigade Arben Kingji është nderuar me disa medalje. Ai mban edhe medaljen e Artë të Shqiponjës, dhënë nga Presidenti i Republikës./Atsh