Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se aseti kryesor i Kurtit është LDK-ja për shkak të përvojës së saj institucionale.

Sipas tij LDK-ja shërben si urë lidhëse e mbajtjes së sistemit në Kosovë dhe mos rrezikimit të raporteve me ndërkombëtarët.

“Aseti kryesor i Kurtit është LDK-ja, pra i qeverisë, dhe besoj se këtë e pranojnë. Nuk dua të hyjë se kush është më i rëndësishëm në qeveri, por patjetër se përvoja institucionale, përkushtimi dhe këtë besoj se nuk ia mohon askush LDK-së”, ka thënë Gashi në Rubikon, shkruan Ballkani.info.

“Ne jemi ura lidhëse e mbajtjes së stabilitetit në Kosovë dhe mos rrezikimit të raporteve të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Po mos të ishte LDK-ja ato kërcënime (të SHBA-ve) do të ishin vepra. LDK-ja ka zbutur qëndrimin amerikan që mos të futën sanksione ndaj Kosovës. Na është thënë edhe gjatë ndërtimit të koalicionit se nga Vetëvendosje që s’ka qenë kurrë në qeveri nuk e dimë se si do të sillen në disa veprime. Ne jemi të bindur që LDK-ja do t’i korrektojë çfarëdo veprimesh të VV-së. LDK-ja ka një rol të jashtëzakonshëm në proceset që po kalon Kosova. Po mos të ishte LDK-ja sot nuk do të kishim qeveri, sepse më kollaj është të bie një qeveri sesa Kosovës t’i vendosen sanksione apo të prishen raportet me SHBA-të”, ka thënë Gashi. /Ballkani.info/