Arabia Saudite pritet të dënojë me vdekje një adoleshent sepse protestoi kur ishte 10 vjeç

Organizata “Amnesty International” ka kërkuar nga Arabia Saudite që të hedh poshtë dënimin me vdekje për një adoleshent i cili është arrestuar pesë vjet më parë.

Murtaja Qureiris ishte arrestuar në moshën 13 vjeçare për pjesëmarrje në protestat kundër qeverisë dhe është ndaluar që nga ajo kohë, sipas “Amnesty”.

Qureiris, që tani është 18 vjeç, mund të përballet me ekzekutim për një sërë shkeljesh, disa prej të cilave datojnë që kur ai ishte 10 vjeç, ka raportuar grupi për të drejtat e njeriut.

Prokuroria publike e Arabisë Saudite ka kërkuar dënim me vdekje për Qureirisin gushtin e kaluar për shkeljet që përfshijnë “pjesëmarrje në protesta anti-qeveritare, pjesëmarrje në funeralin vëllait të tij Ali Qureiris i cili u vra në një protestë më 2011, për bashkim në ‘organizatë terroriste’, për hedhje të koktejeve të molotovit ndaj një stacioni policor dhe për të shtëna ndaj forcave të sigurisë”, ka thënë Amnesty në një komunikatë për media të lëshuar të premten, raporton “AlJazeera”.

CNN-i ka publikuar një video që shfaq Qureirisin në një protestë me biçikleta më 2011 së bashku me një grip tjetër të djemve të rinj. Sipas CNN-it, autoritetet kufitare saudite ndaluan Qureirisin teksa ai po udhëtonte me familje në Bahrejn më 2014, transmeton Koha.net.

Organizata “Amnesty” tha se pas arrestimit të tij, Qureirisi u mbyll në një qendër ndalimi për të mitur në qytetin lindor Dammam dhe iu mohua e drejta për avokat deri në seancën e parë gjyqësore në gushtin e vitit 2018.

Me t’u arrestuar, Qureiris “ishte mbajtur në çeli për një muaj, dhe i ishte nënshtruar rrahjeve dhe frikësimeve gjatë intervistimit të tij”, thotë “Amnesty”. “Intervistuesit e tij premtuan të lirojnë atë nëse do t’i pranonte akuzat ndaj tij”.

Adoleshenti është në pritje të seancës së radhës gjyqësore por grupet për të drejtat e njeriut frikësohen për jetën e tij.

Në muajin prill, Arabia Saudite ekzekutoi 37 persona për shkak të, siç tha, krimeve të lidhura me “terrorizëm”, ndërsa së paku njërin nga ta e vari në publik si paralajmërim për të tjetër.

Grupet për të drejtat e njeriut thanë ato kohë se gati të gjithë të akuzuarit – të cilëve iu këput koka – ishin nga komuniteti shia i Arabisë Saudite.

Sipas një llogaritje të bazuar në të dhënat zyrtare të lëshuar nga agjencia e lajmeve SPA, së paku 100 persona janë ekzekutuar në Arabinë Saudite nga fillimi i vitit.

Ky vend renditet në vendin e pestë në botë për ekzekutime, ndërsa sipas “Amnesty International”, vitin e kaluar kishte dënuar 149 persona me vdekje.